• Tirane, ofrohet vend pune Drejtues i Njësisë së Përputhshmërisë

Tirane
Tipi
  1. me orar te plote
Fusha | Profili i punes
  1. Ekonomist-Financier/e
  2. Finance-Banke | Sigurime
  3. Juridik | Drejtesi
  4. Menaxhim strategjik | Drejtues
Eksperienca
vetem me eksperience
Union Bank prej 20 vitesh operon me sukses në tregun bankar shqiptar, e konsoliduar si një institucion i sigurt, i qëndrueshëm dhe me performancë të shkëlqyer. Përmes një rrjeti të gjerë prej 33 degësh dhe 72 ATM-sh të shpërndara në qytetet kryesore të vendit, banka u ofron mbi 130,000 klientëve një shërbim profesional dhe të besueshëm. Që nga fillimi i aktivitetit në vitin 2006, Union Bank ka njohur rritje të vazhdueshme, duke arritur sot mbi 100 miliardë lekë në total asete.

Ne promovojmë një kulturë pune të bazuar në diversitet, gjithëpërfshirje dhe mundësi të barabarta zhvillimi, ku secili anëtar i ekipit vlerësohet si pjesë thelbësore e suksesit tonë. Union Bank investon vazhdimisht në trajnimin dhe zhvillimin profesional të punonjësve, me misionin për të garantuar një eksperiencë bankare të shkëlqyer për klientët.

Ne i vlerësojmë profesionistët e kualifikuar, besnikë dhe të përkushtuar si asetin tonë më të çmuar; prandaj, kërkojmë kandidatë të përshtatshëm për t’u bërë pjesë e skuadrës sonë në pozicionin:

Drejtues i Njësisë së Përputhshmërisë
Qëllimi i përgjithshëm i punës
Drejtuesi i Njësisë së Përputhshmërisë siguron përputhshmërinë e bankës me kuadrin ligjor dhe rregullator shqiptar, marrëveshjet dhe standardet e përputhshmërisë në fuqi. Në cilësinë e funksionit të linjës së dytë të mbrojtjes, ai/ajo identifikon, vlerëson dhe monitoron rreziqet e përputhshmërisë në bankë, duke informuar vazhdimisht drejtimin dhe organet drejtuese për nivelin e këtyre rreziqeve. Gjithashtu, propozon masa dhe plane veprimi për adresimin e mangësive dhe dobësive të identifikuara, me qëllim forcimin e kuadrit të kontrollit dhe të përputhshmërisë së bankës.

Përgjegjësitë kryesore

  • Drejtuesi i Njësisë së Përputhshmërisë vlerëson, monitoron dhe raporton rreziqet e përputhshmërisë, si dhe identifikon masat për zbutjen e tyre, përmes një procesi të plotë të vlerësimit të rrezikut të përputhshmërisë. Qëllimi është të sigurohet që banka ushtron veprimtarinë në përputhje me kuadrin ligjor dhe rregullator shqiptar, si dhe me politikat dhe procedurat e brendshme në fushën e përputhshmërisë. Përgjegjësitë kryesore janë si më poshtë:
  • Përgatit Programin Vjetor të Përputhshmërisë bazuar në metodologjinë e vlerësimit të rrezikut të përputhshmërisë, me synim zbutjen e rreziqeve të identifikuara, përshtatjen me kërkesat ligjore dhe rregullatore, si dhe ndërmarrjen e iniciativave për t’u përshtatur me ndryshimet e ardhshme rregullatore.
  • Njësia e Përputhshmërisë monitoron zhvillimet në legjislacion dhe në kuadrin rregullator që lidhen me veprimtarinë e bankës dhe organizon sistematikisht këtë informacion përmes mirëmbajtjes së Regjistrit të Përputhshmërisë (bazuar në publikimet e Fletores Zyrtare të Republikës së Shqipërisë, të monitoruara çdo ditë). Ofron mbështetje dhe këshillim për drejtimin lidhur me ligjet dhe rregulloret që duhet të respektohen, si dhe për ndikimet e mundshme të ndryshimeve në mjedisin ligjor ose rregullator. Ndjek zbatimin e rregulloreve të reja dhe/ose ndryshimeve të kuadrit ekzistues nga njësitë përkatëse të bankës.
  • Vlerëson ngjarjet e rrezikut dhe ankesat e klientëve që lidhen me çështje të mundshme të përputhshmërisë, mbrojtjen e klientëve dhe mbrojtjen e të dhënave personale. Në bashkëpunim me njësitë përkatëse të bankës, shqyrton trajtimin e ankesave të klientëve në lidhje me shkeljet e kuadrit rregullator dhe të politikave e procedurave të brendshme.
  • Merr pjesë në vlerësimin e rreziqeve të përputhshmërisë për produkte të reja ose gjatë rishikimeve të rëndësishme të praktikave dhe proceseve të biznesit. Rreziqet materiale të përputhshmërisë, të identifikuara gjatë këtij procesi, përfshihen në raportimet që i paraqiten Komitetit të Përputhshmërisë, Komitetit të Kontrollit dhe Këshillit Drejtues.
  • Menaxhon rreziqet materiale të përputhshmërisë, veçanërisht ato që lidhen me mbrojtjen e konsumatorit dhe të dhënave personale, përmes rishikimit të veprimtarive të kontraktuara tek palët e treta (outsourcing).
  • Menaxhon konfliktet e interesit në bankë duke vlerësuar statusin e rrezikut dhe duke propozuar plane veprimi (kur është e nevojshme) për Komitetin e Përputhshmërisë dhe Komitetin e Burimeve Njerëzore.
  • Menaxhon kuadrin e mbrojtjes së të dhënave personale dhe ushtron funksionet e Oficerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale (DPO).
  • Është përgjegjës për koordinimin e planeve të veprimit dhe raportimin e statusit të zbatimit të tyre në lidhje me rekomandimet e Bankës së Shqipërisë (BSH), Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, si dhe autoriteteve të tjera mbikëqyrëse.
  • Monitoron dhe teston përputhshmërinë lidhje me politikat dhe procedurat e brendshme të bankës, si dhe raporton pranë Komitetit të Përputhshmërisë gjetjet, shkeljet dhe masat korrigjuese përkatëse.
  • Raporton rregullisht pranë Këshillit Drejtues dhe Komitetit të Kontrollit mbi menaxhimin e rrezikut të përputhshmërisë në bankë.
  • Në vijim të gjetjeve të autoriteteve rregullatore, auditimeve të jashtme dhe të brendshme, shqyrton mangësitë dhe shkeljet që lidhen me përputhshmërinë.
  • Koordinon procesin e vlerësimit të administratorëve të bankës dhe procedurën e deklarimit të konflikteve të interesit.

Profili individual

  • Diplomë universitare në Drejtësi, Ekonomi, Financë ose në fusha të tjera të ngjashme; kualifikimet pasuniversitare përbëjnë avantazh.
  • 5–7 vite përvojë profesionale në përputhshmëri, menaxhim të rrezikut, auditim të brendshëm ose funksione të ngjashme në sektorin bankar ose financiar, duke përfshirë përvojë të dëshmuar në rol drejtues ose koordinues.
  • Njohuri shumë të mira të kuadrit ligjor dhe rregullator shqiptar për veprimtarinë bankare, qeverisjen e brendshme, mbrojtjen e konsumatorit, konfliktin e interesit dhe mbrojtjen e të dhënave personale.
  • Përvojë në identifikimin, vlerësimin, monitorimin dhe raportimin e rrezikut të përputhshmërisë, si dhe në hartimin dhe ndjekjen e planeve korrigjuese.
  • Aftësi të dëshmuara për raportim pranë organeve drejtuese, komiteteve të bankës dhe autoriteteve mbikëqyrëse, si dhe për këshillimin e drejtimit mbi çështjet rregullatore.
  • Certifikimet profesionale në përputhshmëri, menaxhim të rrezikut, auditim, mbrojtje të të dhënave personale ose në fusha të ngjashme, përbëjnë avantazh.
  • Njohuri shumë të mira të gjuhës angleze, me shkrim dhe me gojë, si dhe aftësi të mira në përdorimin e aplikacioneve për raportimin dhe analizën e të dhënave.

Kompetenca personale dhe drejtuese:

  • Integritet i lartë profesional, etikë e fortë dhe aftësi për të ruajtur konfidencialitetin.
  • Pavarësi, objektivitet dhe gjykim i shëndoshë profesional, përfshirë aftësinë për të sfiduar në mënyrë konstruktive dhe për të përshkallëzuar çështjet materiale.
  • Aftësi të avancuara analitike, mendim kritik dhe orientim drejt zgjidhjes së problemeve dhe menaxhimit të rrezikut.
  • Aftësi shumë të mira komunikimi, negocimi dhe prezantimi, me aftësi për të përshtatur mesazhin për nivele të ndryshme të organizatës.
  • Aftësi për drejtimin, zhvillimin dhe motivimin e ekipit, delegimin e përgjegjësive dhe menaxhimin e performancës.
  • Aftësi të mira organizative, planifikimi dhe menaxhimi të prioriteteve, me qasje proaktive dhe vëmendje të lartë ndaj detajeve.

Mënyra e aplikimit

Kandidatët e interesuar duhet të paraqesin, brenda datës 20.08.2026:
  • CV-në;
  • letrën e shprehjes së interesit për pozicionin.
Dokumentet duhet të dërgohen në adresën e e-mailit: humanresources@unionbank.al.

Ju informojmë se vetëm kandidatët e përzgjedhur do të kontaktohen nga Departamenti i Burimeve Njerëzore dhe Kulturës Organizative.

Njoftim për mbrojtjen e të dhënave personale

Union Bank sh.a. deklaron se përpunon të dhënat personale të aplikantëve për qëllimet e administrimit të procesit të rekrutimit, mbështetur në Ligjin Nr. 124/2024 “Për mbrojtjen e të dhënave personale” dhe Udhëzimin Nr. 42 datë 22.07.2014 “Për përpunimin e të dhënave personale të kandidatëve për punë”. Të dhënat personale janë kryesisht të dhëna të kontaktit, të dhëna mbi arsimin, eksperiencën profesionale dhe çdo informacion tjetër të deklaruar nga vetë aplikanti në CV -të dhe dokumentacionin shoqërues.

Union Bank sh.a. zbaton masa teknike dhe organizative me qëllim që të garantojë ruajtjen e sigurisë së të dhënave personale që përpunon. Të dhënat ruhen vetëm për periudhën e nevojshme të përfundimit të procesit të rekrutimit dhe aksesohen vetëm nga personeli i autorizuar, i cili ka për detyrë të ruajë konfidencialitetin e të dhënave personale.

Individët që aplikojnë pranë Union Bank sh.a. informohen se të dhënat e tyre personale do të përpunohen nga Banka sipas përshkrimit të mësipërm.

Aplikantët kanë të drejtë të kërkojnë akses, korrigjim, fshirje, kufizim të përpunimit të të dhënave personale të tyre. Për të ushtruar këto të drejta ata mund të kontaktojnë në adresën e email: humanresources@unionbank.al
 


Apply
Back
Top